
“Gjuha Mëmë”, laboratori teatror shkoi në tre qytete për Javën Kulturore Evropiane
Në kuadër të Javës së Evropës, aktoret Ema Andrea dhe Aida Talliente krijuan një laborator teatror, i cili përçoi tek publiku përvojën emocionale të veprës së shkruar nga Elvira Buonocore.
“Gjuha Mëmë” titullohej shfaqja e vënë në Shkodër, Korçë e Tiranë, e cila ka në qendër dy gra, dy gjuhë që bashkëbisedojnë dhe një rrëfim të ndjerë për identitetin, kujtimet, fëmijërinë, emigracionin dhe lirinë.
Me një skenografi të thjeshtë por plot kuptim, “Gjuha Mëmë” e përballi publikun me paragjykimet, keqkuptimet dhe nevojën për të mos harruar të ëndërrojmë në gjuhën amtare. Vepra jep mesazhin se, në qendër të gjithçkaje, qëndron liria e gruas, si një themel pa të cilin nuk mund të ndërtohet asnjë shoqëri e lirë.
Çdo fjalë dhe çdo heshtje në këtë shfaqje ishte si një kujtesë për vlerat që na bashkojnë dhe për dinjitetin që duhet mbrojtur çdo ditë. /atsh/