Gjithçka gati për ndeshjen Kosova-Rumania

Gjithçka gati për ndeshjen Kosova-Rumania

Gjithçka është gati për ndeshjen ndërmjet Kombëtares së Kosovës në futboll dhe Rumanisë.

Dardanët do të përballen me rumunët sonte në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën e Kombeve, duel ky që do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.

Kjo sfidë e cila pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë në ‘Fadil Vokrri’, është tejet e rëndësishme për të dy kombëtaret të cilat synojnë që edicionin e ri në këtë garë joshëse ta nisin me fitore.

Futbollistët e Kombëtares sonë, sot paradite kanë zhvilluar një stërvitje të lehtë para sfidës me Rumaninë.

Gjatë kësaj stërvitjes, u vu re komunikimi i shkëlqyer midis lojtarëve dhe një frymë e fortë grupore, e ku stafi teknik u përqendrua në rikujtimin e detajeve taktike dhe skemave të lojës, duke siguruar që çdo futbollist të jetë i qartë mbi rolin dhe detyrat e tij për ndeshjen e sotme.

Stërvitja u përmbyll me një frymë të lartë pozitive dhe entuziazëm, teksa ekipi duket plotësisht i përqendruar për të nisur me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda është shprehur optimist se Kombëtarja jonë do ta nis me fitore edicionit e ri në Ligën e Kombeve.

Foda thotë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për sfidat e këtij sezoni në Ligën e Kombeve.

“Jemi përgatitur intensivisht që t’i fitojmë lojërat e ardhshme në Ligën e Kombeve. Rumania është skuadër e fortë, kanë bërë paraqitje të mirë në Evropian, por besoj se ne jemi përgatitur mirë që ta fitojmë këtë ndeshje”, ka theksuar Foda.

Ndeshja Kosova-Rumania fillon në orën 20:45.

Share This