Gjinekologët “braktisin” QKUK-në, 30 veta në seminar në Turqi të sponsorizuar nga një kompani private

Gjinekologët “braktisin” QKUK-në, 30 veta në seminar në Turqi të sponsorizuar nga një kompani private

Shumica e mjekëve gjinekologë të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, kanë udhëtuar të mërkurën për Turqi, me “sebep” që të marrin pjesë në Kongresin e 12-të “Menopauza, Osteoporoza dhe Shëndeti i Gruas”, në Sarigerme të Turqisë.

Seminari po mbahet në resortin luksoz “Hilton Dalaman Sarigerme Resort & Spa”, ku një dhomë “single” kushton 970 euro për tri net. Por mjekët kosovarë nuk do të paguajnë asgjë nga xhepi i tyre. Kjo pasi udhëtimin e tyre e ka bërë të mundur kompania MEB Pharma Sh.P.K., distributor i fabrikës nga Turqia, që përfaqëson produkte medicinale.

Në mesin e 30 pjesëmarrësve nga Kosova është edhe drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Sipas e-mailit që e ka parë Ekonomia Online, ftesa iu është bërë nga përfaqësuesi i “MEB Pharma” ShPK, Salih Salihu, që është e regjistruar në ARBK në vitin 2023, me bashkëpronar Cavit Beri.

“Ne si kompani, në bashkëpunim me Shoqatën e Gjinekologëve të Kosovës, si dhe me përkrahjen tuaj për produktet PREGNOM (4 format) si dhe ALTU D VIT 20.000, jemi të gatshëm që të mbështesim të interesuarit për këtë kongres, duke përfshirë biletat e fluturimit, transferet, akomodimin si dhe regjistrimin në kongres”, shkruan Salihu.

Po ashtu, EO ka parë edhe e-mailin nga kompania e fluturimeve, e cila konfirmon se MEB Pharma ka paguar biletat për 30 gjinekologë të QKUK-së.

Në listë janë këta emra: Jakup Ismajli, Naser Berisha, Naser Rafuna, Sahadete Shala, Teuta Zajmi Pajaziti, Florie Kastrati, Durgut Aliu, Afrim Veliu, Shqiponja Ponosheci, Fatos Muhaxhiri, Shpresa Krasniqi, Qefsere Ajdini, Curr Gjocaj, Pranvera Zejnullahu Raci, Zef Ndrejaj, Matilda Sahiti, Vjollca Kosumi, Bajram Syla, Gyltene Kongjeli, Drita Fazliu, .Vjollca Citaku, Niltene Kongjeli, Albert Lila, Teuta Stavileci, Violeta Binishi, Genc Macula, Merita Rruka, Sebajdin Gjini, Verore Hulaj dhe Mirlinda Badalli.

Ekonomia Online u ka dërguar pyetje rreth këtij udhëtimi Ministrisë së Shëndetësisë, QKUK-së, si dhe kompanisë MEB Pharma ShPK, por deri në momentin e publikimit të shkrimit asnjë nga ta nuk ka kthyer përgjigje.

Share This