
Gjimshiti: Të harrojmë Anglinë, të mendojmë për Andorrën
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti foli për mediat pas humbjes 2-0 përballë Anglisë në “Wembli”, në sfidën debutuese të kuqezinjve në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
“Besoj që vuajtëm. Të them të drejtën është shumë shpejt pas ndeshjes të analizosh taktikën. Kam vërejtur që vuajtëm thellësinë e Bellingam, lëvizte shumë brenda linjës. E dimë të gjithë çfarë kualiteti ka. Me një lëvizje e nxjerr të gjithë mbrojtjen jashtë dhe e vuajtëm te goli i parë.
Sidomos nga minuta e 60-të, morën të gjithë lojtarët vetëbesim. Me hyrjen e Brojës, i fuste në vështirësi. Na dha motivim që mund të kapnim diçka. Si është futbolli, në momentin më të mirë erdhi goli i dytë i Anglisë dhe aty u mbyll loja.
Kemi akoma kohë. Është luajtur vetëm 1 ndeshje, Anglia ishte favorite. Duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës, ta harrojmë këtë sa më shpejt dhe të mendojmë për Andorrën. Nuk ka ndeshje të thjeshta dhe duhet të fokusohemi për të fituar atë ndeshje”, u shpreh Gjimshiti.