Gjimshiti: Rrugëtim i jashtëzakonshëm, treguam karakter si Kombëtare
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka thënë se ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm i kuqezinjve nga kualifikimet e deri tek EURO 2024.
Kuqezinjtë tashmë janë eliminuar nga Evropiani ‘Gjermani 2024’ pas humbjes nga Spanja (1-0).
Mbrojtësi shqiptar përmes një postimi në rrjetet sociale, nuk i ka fshehur emocionet dhe krenarinë për këtë aventurë fantastike.
Gjimshiti ka falënderuar gjithë tifozët shqiptarë për përkrahjen e madhe që i bën Kombëtares shqiptare.
“Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që nga kualifikueset deri në Kampionatin Evropian. Treguam karakter si Kombëtare duke u paraqitur në fushë si të barabartë me gjigantë evropianë, por që na mungoi edhe fati për të arritur më shumë. Të jem kapiten i Kombëtares në një Evropian, është krenaria më e madhe për mua dhe t’i udhëheq këta bashkëlojtarë të mrekullueshëm ka qenë diçka unike. Dua t’i falënderojë tifozët më të mirët në botë, tifozët Kuq e Zi që nuk na kanë lënë vetëm në asnjë moment duke na përkrahur me të gjitha mënyrat, por një falënderim edhe më i madh për ta është se treguan kulturë të lartë sportive, duke bërë që e gjithë Evropa të flasë mirë për ta dhe për kombin shqiptar. Kombëtarja ka të ardhme të ndritur dhe ky është vetëm një fillim i gjërave edhe më të mëdha që na presin. Përgjithmonë Kuq e Zi, Forca Shqipëria ime”, ka shkruar Gjimshiti në ‘Instagram’.
Gjimshiti konsiderohet një nga lojtarët më të mirë tek skuadra shqiptare, derisa ai ka shkëlqyer edhe skuadrën e tij, Atalanta, duke fituar trofeun e Europa League.