Gjimshiti para finales në Europa League: Çdo gabim në finale mund të na kushtojë shtrenjtë
“Janë emocione të bukura, ne jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu. Kjo nuk ndodh çdo ditë dhe ka qenë një ëndërr që kur kemi qenë fëmijë. Nesër fusha do të ketë rëndësi”.
Kështu ka folur për Sky Sport mbrojtësi i Atalantas, Berat Gjimshiti, një nga protagonistët e pritur të finales së Europa League kundër Bayer Leverkusenit të planifikuar për nesër në Dublin.
Mbrojtësi kuqezi do të jetë kapiten duke patur parasysh mungesën e të dëmtuarit De Roon:
“Është krenari e madhe, do të na mungojë Marten, por do të jetë në dorën tonë të luajmë si ai. Unë do të jem kapiten, por ne jemi shumë në skuadër të cilët janë kapitenë. Ne luajmë së bashku dhe fitojmë së bashku”.
Bayer Leverkusen nuk ka humbur kurrë këtë sezon, a kanë ndonjë pikë të dobët?
“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, ata nuk kanë humbur asnjë ndeshje dhe me meritë e fituan Bundesligën. Janë një ekip i madh me individualitet të mirë. Ne tashmë jemi përballur me ta dy vjet më parë, tani me Xabi Alonson ata luajnë të gjithë bashkë dhe janë shumë të shpejtë në rinisje”.
Kush do të ketë detyrën më të vështirë?
“Kushdo që e njeh Atalantën e di se mbrojtja fillon me presionin e sulmuesve. Dhe kur ne sulmojmë ne fillojmë nga mbrojtësit. Do të jetë një ndeshje e vështirë për t’u përballur, ata janë të shpejtë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm. Do të duhet të jemi kompakt, çdo gabim në finale mund të na kushtojë shtrenjtë”. /rtsh/