Gjimshiti nuk “kënaqet” me 2023-in, pret edhe më shumë nga viti i ri
Berat Gjimshiti është kthyer në një lider të mbrojtjes së Atalantës, duke luajtur rregullisht me ekipin bergamask, për t’u bërë një nga pikat kryesore të skuadrës së Gasperinit.
Në duelin e fundit të këtij viti, në ndeshjen ku Atalanta triumfoi me rezultatin minimal përballë Leçes së Ylber Ramadanit, mbrojtësi ka qenë deciziv me disa ndërhyrje.
Në përfundim të këtij takimi qendërmbrojtësi tha se ishte një fitore e vështirë, por që shumë e nevojshme për ta mbyllur vitin me fitore.
“Kjo është një fitore e rëndë, deshëm ta mbyllnim mirë vitin para tifozëve tanë. Po kemi vështirësi në shënimin e golave, por kjo varet edhe nga kundërshtari, Leçe po luan shumë mirë, nuk linte hapësira në fazën mbrojtëse dhe ishte e rrezikshme në kundërsulm”, tha Gjimshiti.
Mbrojtësi shtatlartë e konsideron si një vit të mirë 2023-in, por synon të arrijë rezultate edhe më të mira në vitin 2024-ën.
“Në përgjithësi them se po, por ne jemi në skuadër që mendon gjithmonë të përmirësohet dhe të bëjë sa më mirë të jetë e mundur. Kjo është forca jonë që duhet të marrim me vete edhe në vitin 2024”, deklaroi qendërmbrojtësi shqiptar.
Skuadra zikaltër e mbylli këtë vit në vendin e gjashtë në Serie A me 29 pikë, derisa objektivi është rikthimi në Ligën e Kampionëve.