Gjimshiti i kënaqur me fitoren, kritikon mbrojtjen e Atalantës
Mbrojtësi shqiptar i Atalantës, Berat Gjimshiti, ka thënë se është i lumtur me fitoren ndaj Fiorentinës, por sipas tij, mbrojtja e skuadrës së tij çaloi në disa momente.
Skuadra nga Bergamo mundi Fiorentinën (3-2), të dielën që lamë prapa në kuadër të Serie A.
“Me dy golat e pësuar, mendoj se mbrojtja nuk la përshtypje të mirë. Duhet të jemi më të kujdesshëm në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Gjimshiti.
“Ne duhet të reagojmë më mirë edhe pse ata në pjesën e dytë nuk patën ndonjë mundësi të madhe”, ka pohuar reprezentuesi i Shqipërisë.
Pas kësaj fitore, Atalanta shkon në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tetë.