Gjilani ndalet nga Dukagjini, fitojnë Drita e Feronikeli ‘74

Gjilani ndalet nga Dukagjini, fitojnë Drita e Feronikeli ‘74

Gjilani ka barazuar ndaj Dukagjinit (1:1), derisa Drita dhe Feronikeli ’74 kanë shënuar fitore ndaj Malishevës, respektivisht Fushë Kosovës.

Ndeshja më interesante ishte mes Gjilanit dhe Dukagjinit, ku epilogu përfundimtar doli të jetë 1:1.

Skuadra nga Klina kaloi në epërsi me anë të Bujar Shabanit që realizoi një gol të bukur pas asistimit të Morinës (30’).

Sidoqoftë, Gjilani s’u dorëzua duke barazuar me Kushtrim Shabanin për të arkëtuar së paku një pikë (60’).

Kështu, Gjilani bie në vendin e tetë me tetë pikë, derisa Dukagjini zë vendin e shtatë me nëntë sosh.

Drita në anën tjetër ka vazhduar me rezultat pozitive, duke triumfuar në udhëtim te Malisheva me rezultat 1:2.

“Intelektualët” ishin më të mirë se vendasit, që mbeten me një lojtar më pak pasi Kryeziu u ndëshkua me karton të kuq.

Kryeziu në fakt ishte “fytyra tragjike” pasi shënoi një autogol pas 40 minutave për të kaluar Dritën në epërsi.

Ndërsa, tetë minuta më vonë skuadra gjilanase dyfishoi epërsinë me anë të Besnik Krasniqit (45+3’).

E tëra që arriti të bënte Malisheva, ishte goli i nderit i shënuar nga Elom Nyavedji pas një asistimi të Ilir Mustafës (58’).

Me këtë fitore, Drita ngrihet në pozitën e dytë në tabelë me 18 pikë, një më pak se lideri Ballkani derisa Malisheva renditet në vendin e katërt me 12 sosh.

Kurse, Feronikeli ’74 ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Superligën e Kosovës, duke mposhtur bindshëm 3:0 skuadrën e Fushë Kosovës.

Ibrahim Cërvadiku shënoi në fundin e pjesës së parë për t’i dhënë epërsinë klubit nga Drenasi.

Ndërsa, Jakup Berisha u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta dyfishuar epërsinë (68’).

Kurse, fitoren e vulosi tre minuta më vonë Florent Avdyli pas një aksioni të shpejtë (68’).

Nikli ’74 tani renditet në vendin e gjashtë në tabelë me 10 pikë të mbledhura, derisa Fushë Kosova vazhdon të qëndrojë në fund me vetëm dy sosh.

Share This