
Gjiganti i Premier League-s gati 70 milionë euro për Reijnders
Manchester City po përgatit një goditje të madhe në afatin kalimtar të kësaj verë.
Sipas medieve të huaja, kampionët në fuqi të Anglisë janë të vendosur për të transferuar mesfushorin holandez të Milanit, Tijjani Reijnders, duke ofruar deri në 70 milionë euro për shërbimet e tij.
Trajneri Pep Guardiola e sheh Reijnders si profilin ideal për rolin e “numrit 8”, duke vlerësuar shumë aftësitë teknike, vizionin në ndërtimin e lojës dhe përfshirjen në sulm të 25-vjeçarit.
Reijnders ka qenë një nga pikat më pozitive të Milanit këtë sezon, pavarësisht performancave të luhatshme të skuadrës.
Fillimisht, City ishte gati të ofronte mbi 50 milionë euro, por burime të afërta me klubin anglez raportojnë se janë të gatshëm të rrisin ofertën deri në 70 milionë euro, për ta siguruar sa më shpejt mesfushorin holandez, para se të nisë Kupa e Botës për Klube, që zhvillohet këtë verë.
Milan ende nuk ka reaguar zyrtarisht, por një ofertë e tillë mund të jetë joshëse për klubin kuqezi, i cili po përgatitet për një ristrukturim të thellë gjatë afatit kalimtar të verës.