Gjermania e nis fuqishëm, shkatërron Skocinë

Gjermania e nis fuqishëm, shkatërron Skocinë

Gjermania ka bërë fillim bindës të Euro 2024. Ndeshja hapëse e kampionatit e zhvilluar në “Allianz Arena” në Munich kundër Skocisë është mbyllur me triumfin e Gjermanisë me rezultat 5-1.

“Pancerët” e kanë treguar fuqinë e tyre që në pjesën e parë, duke shënuar tri gola, ndërsa në pjesën e dytë e kanë ulur intensitetin, por ia kanë dalë t’i shtojnë edhe dy.

Serinë e golave në ndeshje e ka hapur Florian Wirtz në minutën e dhjetë, pas një asistimi të saktë nga Joshua Kimmich. Vetëm nëntë minuta më vonë, Jamal Musiala e ka dyfishuar avantazhin për gjermanët, duke shënuar pas një pasimi nga Kai Havertz.

Në momentet e fundit të pjesës së parë, Gjermania e ka trefishuar avantazhin falë një goli nga pika e bardhë, realizuar nga Havertz.

Paraprakisht Skocia kishte mbetur me dhjetë lojtarë në fushë pas ndëshkimit me karton të kuq të Porteous.

Në pjesën e dytë, Gjermania ka vazhduar ta kontrollojë lojën, duke shënuar edhe golin e katërt me anë të Fullkrug në minutën e gjashtëdhjetë e tetë.

“Pancerët” nuk janë ndalur as pas epërsisë së thellë. Në kohën shtesë Can e ka shënuar edhe golin e pestë.

Golin e nderit për skocezët e ka shënuar një gjerman. Ka qenë minuta e tetëdhjetë e shtatë kur Rudiger ka realizuar autogol, duke sjellë gëzim tek tifozët skocezë të pranishëm në stadium. /rtk/

Share This