Gjermania “dajak” edhe Holandës, Bellingham shmang humbjen e Anglisë në shtesë
Gjermania rikthehet e frikshme nën drejtimin e Julian Nagelsmann.
Vetëm pak ditë pas suksesit ndaj Francës në Lyon, “panzerat” mposhtën një tjetër emër të madh të futbollit europian si Holanda, këtë herë në stadiumin e Frankfurtit.
Holandezët e Koeman kaluan të parët në avantazh me golin e Veerman në minutën e katërt, megjithatë skuadra e Nagelsmann reagoi shpejt dhe riktheu baraspeshën me Mittelstadt në minutën e 11’.
Për të vulosur suksesin mendoi sulmuesi Fulkrug, që erdhi nga stoli dhe shënoi në minutën e 85-të me një asist të Toni Kroos, duke i dhënë Gjermanisë suksesin e dytë në harkun e katër ditëve dhe duke e konfirmuar pretendente kryesore për të triumfuar në Europianin e shtëpisë.
E nëse Gjermania konfirmohet në formë perfekte para Europianit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Anglinë, që shmangu humbjen vetëm në sekondat e fundit të miqësores ndaj Belgjikës në “Wembley”.
“Tre luanët” vinin me shumë mungesa në këtë takim dhe për më tepër me moralin e ulët pas disfatës ndaj Brazilit të premten, teksa për t’ua komplikuar edhe më shumë, mendoi Tielemans që shënoi dy herë në pjesën e parë.
Megjithatë skuadra e Southgate u kundërpërgjigj dy herë, duke barazuar përkohësisht me Ivan Toney dhe më pas duke vulosur rezultatin 2-2 në minutën e fundit shtesë me anë të goleadorit të kampionatit spanjoll, Jude Bellingham.
Në sfidat e tjera, Zvicra triumfoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Irlandës në transfertë, falë një goli të shënuar nga Xherdan Shaqiri me goditje dënimi, ndërsa Austria mposhti Turqinë me rezultatin tenistik 6-1. /SS/