
GJERMANI/11 aeroporte në grevë të përgjithshme
Punonjësit e sektorit publik dhe stafi tokësor në 11 aeroporte gjermane, duke përfshirë qendrat kryesore të transportit si Frankfurti dhe Mynihu, do të hyjnë në grevë të hënën, për shkak të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme mbi pagat, tha sindikata ”Verdi”.
Punonjësit në aeroportin e Berlinit si dhe në Hamburg, Shtutgart, Këln/Bon, Dyseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen dhe Lajpcig-Halle janë thirrur gjithashtu t’i bashkohen grevës, veprim i cili do të shkaktojë shqetësime për udhëtarët në të gjitha aeroportet e mëdha gjermane.
Gjermania është goditur nga një seri grevash javët e fundit, pasi sindikata po përpiqet të ushtrojë presion mbi qeverinë federale dhe komunat përpara raundit të tretë të bisedimeve për një marrëveshje kolektive mbi pagat që përfshin rreth 2,5 milionë punonjës të sektorit publik.
“Verdi” po kërkon rritjen e pagave me 8%, me një vlerë minimale prej 350 eurosh më shumë në muaj, si dhe bonuse më të larta dhe tre ditë pushimi.
Rreth 20 000 punonjës të kujdesit shëndetësor morën pjesë në grevë dje, ndërsa punonjësit në kopshte do t’u bashkoheshin sot.
Një pjesë e madhe e punonjësve të operatorit të Aeroportit të Frankfurtit, mbulohen nga marrëveshjet kolektive për punonjësit e sektorit publik, duke e bërë të mundur që ata të bashkohen me grevën që do të fillojë në mesnatë (23:00 GMT të dielën).
“Verdi” gjithashtu i bëri thirrje stafit tokësor të hyjë në grevë për 24 orë. /atsh/