
Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit
Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, kurse janë arrestuar tre persona e një vazhdon të jetë në kërkim.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rastet ku dyshohet se kishte dhunë në familje janë regjistruar në rishtinë, Fushë Kosovë – dy raste, Klinë, Malishevë dhe Graçanicë.
Sipas policisë, në Fushë Kosovë, në dy raste të ndara është raportuar se janë arrestuar dy persona pasi që të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar dhunë në familje.
Në një rast, viktimë e dhunës, dyshohet se është një grua, kurse në rastin tjetër, viktimë ishte një burrë. Të dy personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, bënë të ditur policia.
Kurse, në Prishtinë, dyshohet se një burrë ka sulmuar fizikisht një grua dhe me vendim të prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Policia nuk ka arritur ta arrestojë një person në Klinë i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
“Është raportuar se i dyshuari kosovar kishte kryer veprën e lartcekur ndaj ankuesit mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti i cili i nënshtrohet procedurave hetimore, derisa personi i dyshuar ndodhet në kërkim policor”, ka thënë policia.
Kurse në Malishevë, sipas policisë, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje, për çka me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia njofton se në Graçanicë, një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht një burrë, teksa pas intervistimit të palëve, rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.