
Gërxhaliu: Rritja e çmimeve nuk do ndalet, shteti pa kontrollë e përgjegjësi
Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, është deklaruar për “Front Online” ndaj rritjes së çmimeve, duke e lidhur këtë trend me krizën institucionale dhe ngarkesën politike në vend.
Sipas tij, rritja e çmimeve po ndodh pa kontroll.
“Ngritja e çmimeve po ndodhë kur agjenda politike është e ngarkuar dhe nuk ka institucione të dalura nga qytetarët, e tëra kjo po e dëmton ambientin biznesor dhe kjo po e krijon një anarki që po zhvillohet nga të gjithë. Pas rritjes së çmimit të rrymës, nuk duhet na habitë fakti se do të kemi rritje të çmimit të bukës dhe produkteve tjera”, deklaroi ai.
Ai kërkoi që inspektoratet të veprojnë më me përgjegjësi dhe në funksion të interesit publik, jo si instrumente të agjendave politike.
“Agjencia e Konkurrencës sot më shumë është në shërbim të ruajtjes së pushtetit të partisë fituese se sa janë në interes të qytetarëve. Inspektorati duhet të jetë më aktiv, jo për të përmbushur agjendën e tyre, por të jetë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Gërxhaliu.