Gërxhaliu, qeverisë: Mos i sulmoni bizneset, ato janë një pasuri kombëtare

Gërxhaliu, qeverisë: Mos i sulmoni bizneset, ato janë një pasuri kombëtare

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar nga qeveria Kurti që mos t’i sulmojë bizneset. “Mjaft me sulme, dje Devolli sot Interexi, le të mbështesim bizneset vendore për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ai ka thënë se në vend të akuzave duhet t’i mbështesim bizneset vendore për të ardhmen e Kosovës.

“Në ditët e fundit, kemi parë sulme të paarsyeshme dhe të organizuara kundër korporatave të mëdha si Devolli dhe Interex, kompani që kanë dëshmuar se janë shtylla të forta të ekonomisë sonë. Interex, nën udhëheqjen e Shaip Mikullovcit, është një shembull i shkëlqyer i ndërmarrësisë së suksesshme në Kosovë. Kjo kompani ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme përmes krijimit të vendeve të punës, mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe pagesës së tatimeve që mbajnë gjallë institucionet tona”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se sulmet ndaj këtyre kompanive nuk janë të rastësishme.

“Ato synojnë të dobësojnë sektorin privat dhe të gjunjëzojnë ekonominë kosovare. Kjo strategji e dëmshme vjen në një kohë kur bizneset tona po tregojnë se mund të konkurrojnë me brendet më të mëdha në rajon dhe Evropë, duke promovuar imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Në Kosovë, sektori privat ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol vendimtar në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik. Bizneset janë shtylla e ekonomisë sonë, duke krijuar vende pune, duke kontribuar në buxhetin e shtetit përmes tatimeve, dhe duke ndihmuar në forcimin e pavarësisë ekonomike të vendit. Megjithatë, në vend që të mbështeten, ato shpesh goditen nga institucionet dhe shoqëria, duke përçarë komunitetin dhe duke dëmtuar themelet e një ekonomie të shëndetshme”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se bizneset nuk janë vetëm pronë e individëve apo familjeve që i udhëheqin, ato janë pasuri e përbashkët e shoqërisë.

“Si shoqëri duhet t’i japim fund kësaj qasjeje shkatërruese ndaj sektorit privat. Bizneset janë një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur dhe promovuar. Vetëm përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes institucioneve, shoqërisë dhe bizneseve mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën”, ka theksuar Gërxhaliu.

Share This