
Gërvalla: E ardhmja jonë është në BE
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në konflikt në takimin ministror në Taormina të Italisë ka theksuar se e ardhmja evropiane nuk mund të ndërtohet mbi harresë selektive dhe standarde të dyfishta.
Sipas saj, ajo ndërtohet mbi kujtesën, drejtësinë dhe guximin për të qenë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë.
Në një postim në rrjetet sociale ministrja në detyrë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se gjatë takimit ministror në Taormina, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në konflikt, u ka rikujtuar homologëve të saj se dhuna seksuale u përdor nga Serbia si armë lufte, ndaj grave, burrave e fëmijëve, qoftë në Kosovë, qoftë në Kroaci, ashtu edhe në Bosnje.
”E ndërsa viktimat mbeten me plagë të hapura, autorët e këtyre krimeve enden të lirë në Serbi, jo vetëm të pandëshkuar, por shpesh të shpërblyer me poste e privilegje. Ndërsa, institucionet ndërkombëtare të drejtësisë vazhdojnë të heshtin, heshtje kjo që rrezikon përsëritje të historisë”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo më tej ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, por si pjesë e natyrshme e një Evrope që e njeh të kaluarën, mbron të vërtetën dhe ndërton paqe përmes drejtësisë. ”Sepse vetëm një Evropë që i qëndron besnike vlerave të saj, mund të ruajë koherencën, besimin dhe rolin e saj si faktor qëndror i drejtësisë dhe paqes në rajon dhe botë”, ka nënvizuar Gërvalla, raporton rtk.