Gërvalla: Arbëreshët, model i ruajtjes së gjuhës, traditës dhe identitetit
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti sot Kryetarin e Komunës së Strigarit, Damiano Baffa, komunë kjo arbëreshe në Kalabri të Italisë, ku folën rreth përgatitjeve për ngjarjen “Ditët Arbëreshe në Kosovë”, e cila është iniciativë e MPJD-së pas vizitës së ministres Gërvalla në komunat arbëreshe gjatë festës së Pashkëve të këtij viti.
Në njoftimin për media, thuhet se gjatë takimit, u diskutua për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit arbëresh dhe përmirësimin e pozitës së këtij komuniteti në Itali.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe promovuar identitetin e komunitetit arbëresh si një shembull unik i ruajtjes shekullore të gjuhës, identitetit, traditës dhe kulturës arbëreshe”, tha Gërvalla, raporton rtk.
Në fund të takimit, Gërvalla dhe Kryetari Baffa shprehën angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me hapa konkret drejt konkretizimit të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe komunave arbëreshe në Itali në fusha të ndryshme.