
Gashi: Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, Kosovës po i mungon LDK-ja
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar lidhur me tensionet dhe situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke paralajmëruar se zhvillimet po shkojnë drejt përplasjeve fizike.
Gashi ka kritikuar njëkohësisht mungesën e një qëndrimi të qartë të LDK-së në këtë situatë, duke vlerësuar se partia duhet të ketë një rol më aktiv në një moment që ai e konsideron kritik për vendin.
Sipas tij, bllokimi i institucioneve dhe rritja e tensioneve politike kërkojnë më shumë dialog, maturi dhe përgjegjësi institucionale.
“Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së. Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se në situata kur institucionet bllokohen dhe tensionet përshkallëzohen, Kosovës i nevojitet një qasje e bazuar në dialog dhe ruajtjen e institucioneve.
“Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi.

