
‘Gardiani’ i Dardanëve: Me fitore rritën gjasat për kualifikim në Evropian
Portieri i kombëtares së Kosovës në hendboll, Haris Berisha, ka thënë se dueli me Ukrainën është sfidë tejet e rëndësishme në garën për kualifikim në Evropianin e ardhshëm.
Kosova dhe Ukraina do të përballen të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të fazës së dytë të kualifikimeve për Evropianin 2026, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
‘Gardiani’ i Dardanëve mendon se me fitoren eventual ndaj Ukrainës, gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian janë të mëdha.
“Ndeshja e së enjtes është shumë e rëndësishme për vazhdimin e kësaj kampanje kualifikuese. Me fitore kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Me angazhimin e të gjithëve besojmë se do të arrijmë atë që e meritojmë”, ka thënë Berisha.
“Presim të fitojmë pikë ndaj Ukrainës, që natyrisht është Kombëtare që meriton respekt maksimal. Ka përvojë të madhe në këto gara. Me ndihmën e publikut shpresojmë në fitore”, theksoi ai.
Ndeshja mes Kosovës dhe Ukrainës fillon në orën 20:15.