Garcia: Osimhen nuk më intereson, jemi ende në garë për titullin
Pas barazimit ndaj Milanit, Napoli rikthehet sërish në fushë, këtë herë për sfidën ndaj Salernitanës, teksa trajneri Rudi Garcia kërkon përqendrim maksimal për të marrë 3 pikët, aq të domosdoshme për kampionët në fuqi të Italisë.
“Në Napoli ndihem mirë dhe sa herë që ka ndonjë stuhi, të gjithë më inkurajojnë. Ndaj Milanit pësuam gol në dy aksionet e tyre të para, por reaguam mirë. Tani ajo ndeshje nuk luhet sërish, ndaj duhet të shohim përpara dhe sfida e radhës është ndaj Salernitanës. Jemi 7 pikë ;larg kreut, por ka ende edhe 70% të ndeshjeve për t’u luajtur, ndaj kemi kohë për të rikuperuar”, tha tekniku i Napolit.
Garcia ka komentuar edhe situatën e sulmuesit kryesor të Napolit, Victor Osimhen, i cili vijon të qëndrojë në Nigeri, për t’u rikuperuar nga dëmtimi.
“Ai është i dëmtuar dhe ka rënë dakord me klubin që të vijojë riaftësimin në shtëpi. Mjekët më kanë thënë se po ndjek me rigorozitet këshillat dhe javën e ardhshme do të kthehet në Napoli. Megjithatë për momentin nuk më intereson shumë Osimhen, por ata që janë të gatshëm për të luajtur”, u shpreh trajneri.
Napoli do të sfidojë Salernitanën të shtunën në orën 15:00 në transfertë, me synimin të marrë një fitore që do të rikthente qetësinë në skuadër.