Gara presidenciale në SHBA, inteligjenca amerikane vëren përpjekje të huaja për të fshehur ndikimin në zgjedhje
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka thënë të martën se “aktorë të huaj” janë duke kryer dhe planifikuar “operacione ndikimi”, për të shënjestruar zgjedhjet e nëntorit.
“Aktorë të huaj u janë drejtuar kompanive komerciale, sikurse ato të marketingut dhe marrëdhënieve me publikun, për të shfrytëzuar ekspertizën e këtyre kompanive në komunikime, sofistikim teknik dhe aspekte tjera të komplikuara”, thuhet në raportin e fundit.
Inteligjenca amerikane e konsideron Rusinë si “kërcënimin kryesor për zgjedhjet amerikane” dhe beson që Moska është duke punuar që të mos vërehet.
Në raport është thënë edhe se Kina “ndoshta nuk planifikon të ndikojë” në zgjedhjet presidenciale, ndonëse mund të synojë “denigrimin e kandidatëve që i konsideron si të rrezikshëm për interesat e veta”.
Shtetasit amerikanë do të votojnë më 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve në këtë garë, derisa nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, pritet të shpallet kandidate e demokratëve.
Zgjedhjet do të mbahen edhe për 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 34 prej 100 ulëseve të Senatit. /rtsh/