
GAP: Komunat në krizë financiare për shkak të obligimeve përmbarimore
Instituti GAP ka publikuar sot analizën e re me titull “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”, ku ngre shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes financiare të komunave të Kosovës si pasojë e obligimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Sipas raportit, gjatë periudhës 2022-2024, komunat kanë shpenzuar mbi 163 milionë euro për pagesa të detyruara nga vendimet e gjykatave dhe përmbaruesve privatë. Kjo barrë financiare ka detyruar disa komuna të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, ndërsa të tjera janë detyruar të pezullojnë projektet kapitale.
“Shpenzimet përmbarimore janë rritur ndjeshëm në të gjitha komunat, pavarësisht madhësisë së tyre, që dëshmon për përhapjen e gjerë të këtij problemi”, thekson raporti i GAP-it.
Obligimet përmbarimore nuk lidhen vetëm me kontratat kolektive në arsim, por edhe me sektorin e shëndetësisë dhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës të vitit 2008, i cili parasheh pagesa shtesë për mësimdhënësit bazuar në kualifikimet e tyre. Gjithashtu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli jokushtetues uljen e përqindjes për përvojën e punës ka çuar në fitimin e shumë padive nga shërbyesit publikë, të cilët tani po kompensohen nga komunat.
“Gjatë vitit 2024, një pjesë e konsiderueshme e komunave kanë pasur shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake apo investimet kapitale. Po ashtu, komunat po përballen edhe me një rritje të vazhdueshme dhe të lartë të obligimeve të reja (detyrime kontigjente) të paraqitura në gjykata, që arrijnë rreth 208 milionë euro. Këto përfaqësojnë pretendime financiare që qytetarët dhe palë të tjera kanë ndaj komunës, e që kryesisht ndërlidhen me projekte kapitale”, thuhet në raportin e GAP.
Ky Institut kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë përgjegjësitë për gjendjen e krijuar dhe të ndërhyjë me masa konkrete për ta zgjidhur krizën, përmes disa veprimeve:
▪Qeveria duhet të marr përsipër ekzekutimin e pagesave rreth vendimeve gjyqësore për çështjen në fjalë.
▪Qeveria duhet të propozojë plotësim/ndryshimin e Ligjit nr. 08/L-196 për pagat në sektorin publik dhe ta harmonizojë atë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. KO79/23.
▪Qeveria e Kosovës, në afat sa më të shpejtë, duhet ta adresojë këtë çështje, në formë të anulimit të këtij vendimi apo plotësim/ndryshimit të Ligjit të pagave, për të inkorporuar edhe benefitet që rrjedhin nga ky vendim.
▪Komunat duhet të përfshihen në të gjithë procesin e negocimit dhe përmbajtjes së tyre për kontratën kolektive në arsim.
▪Në kohën kur janë nënshkruar kontratat kolektive në arsim dhe në shëndetësi, udhëheqësit e institucioneve nuk kanë nxjerrë raport për ndikimin financiar të atyre kontratave. Në të ardhmen, duhet të jetë obligative që draft kontrata apo vendime të të njëjtës natyrë të dërgohen fillimisht në Ministrinë e Financave, siç kërkohet edhe ligjërisht, që e njëjta të përllogarisë obligimet financiare që shkaktohen si dhe të tregojë burimet e financimit të tyre.