Galatasaray refuzon ofertat, Icardi nuk lëviz nga Stambolli
E ardhmja e Mauro Icardit do të vazhdojë të jetë në Turqi.
Sipas mediave turke, Galatasaray ka vendosur që të refuzojë të gjitha ofertat për sulmuesin deri në fund të sezonit, duke blinduar për momentin lojtarin dhe duke shtyrë për në verë një shitje të mundshme.
Kohët e fundit është folur për një interesim të Realit të Madridit për argjentinasin (madrilenët kërkojnë zëvendësuesin e të dëmtuarit Vinicius), por edhe për një rikthim tek Interi.
Por duket se Icardi do të vazhdojë të qëndrojë në Stamboll dhe nëse nuk ndodh ndonjë “çmenduri” merkatoje sulmuesi nuk do të lëvizë këtë janar nga Galatasaray. Në javët e fundit u fol për një huazim 6-mujor te Reali, por tashmë kjo hipotezë ka rënë.
Pavarësisht presioneve, drejtuesit e klubit turk kanë vendosur që të mos e lënë të iki lojtarin, duke marrë në konsideratë rendimentin e tij. Në 27 ndeshje të luajtura këtë sezon në të gjitha kompeticionet, Icardi ka shënuar 17 gola.
Kontrata e argjentinasit skadon në vitin 2026, por verën e ardhshme Icardi pritet të jetë një nga lojtarët më të kërkuar në merkato.