FXHK prezanton logon e Evropianit që do të mbahet në Prishtinë
Kampionati Evropian i Xhudos që do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës më 16 dhjetor, padyshim se është një nga ngjarjet më të mëdha sportive në vendin tonë.
Federata e Xhudos së Kosovës, përmes një njoftimi, ka bërë dije se xhudistë nga 50 shtete pjesëmarrëse do të do të garojnë për çmimin e madh prej 300,000€ në total në të gjitha kategoritë.
FXHK edhe zyrtarisht ka prezantuar logon e Evropianit që do mbahet në Prishtinë.
“Shumë të lumtur të ndajmë me ju identitetin zyrtar të kësaj ngjarje të rëndësishme si për vendin tonë ashtu edhe për sportin e xhudos në Evropë dhe botë. Logoja e Kampionatit Evropian është frymëzuar nga ngjyrat bardh dhe kaltër të Prishtinës, qytetit ku do të mbahet Kampionati; ilustrimit të objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku do të mbahet Kampionati me 16 dhjetor 2023; dhe ilustrimin e përshëndetjes – “Rei” – në xhudo si një ndër elementet kryesore të xhudos që simbolizon respektin dhe mirënjohjen, kështu për të reflektuar edhe vlerën kryesore të vendit tonë – mikpritjen – dhe për të dëshmuar traditën e xhudos në Kosovë, vendin e 3 medaljeve të arta olimpike”, thuhet në njoftimin e FXHK-së.
Evropiani i Xhudos, “European Championships Open” do të organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos.