Futi në “xhep” Mbappe-n, Hummels nuk fshihet: Tani duam trofeun, dhuratë edhe për Reus
Mats Hummels, për herë të dytë radhazi, u shpall lojtari i ndeshjes.
“Diga” gjermane zhvilloi një ndeshje perfekte, futi në “xhep” Kylian Mbappe, ndërsa me golin e tij i dhuroi B.Dortmund një biletë për në finalen e Champions League.
Pas 11 vitesh, Hummels rikthehet sërish në finale, por në moshën 35 vjeçare u ngjit në podium si lojtari i tretë më i vjetër që realizon një gol në fazën gjysmëfinale të Champions League.
Mediat nuk i kursyen elozhet për Hummels, pjesa e tyre më e madhe e vlerësuan me notën 10, kjo pasi Hummels ishte thjesht perfekt. Qendërmbrojtësi shpreson që tani fundi të jetë i lumtur, ëndërron të ngrejë në qiell kupën me veshë të mëdhenj:
“Kam shënuar shumë pak gola në karrierën time në Champions League, vetëm pesë, ky ishte momenti i duhur për të shënuar. Që nga sfida e kthimit kundër Milan në fazën e grupeve kemi menduar gjithnjë se mund të fitonim kundër të gjithëve, tani nuk shoh asnjë pengesë pse të mos fitojmë edhe në Wembley. Këtu zhvilluam ndeshjen tonë, atmosfera ishte fantastike fal tifozëve tanë të mrekullueshëm”, u shpreh Hummels.
Kjo ishte një sfidë e veçantë edhe për flamurin e këtij ekipi, Marco Reus. Pikërisht në vitin që njoftoi largimin e tij nga B.Dortmund, pas 12 vitesh, Reus e sheh veten sërish në një finale Champions League:
“Nuk e prisja, mbi të gjitha pas shortit në fazën e grupeve. Tani nuk më intereson se cili do të jetë në finale, Real Madrid apo Bayern Munich. Ne do të shkojmë në Londër për ta fituar atë trofe”, u shpreh Marco Reus.