Fushë Kosova: Kryesia e Ballkanit sulmuan lojtarët dhe trajnerin tonë
Ballkani dhe Fushë Kosova u ndeshën sot (e diel) në kuadër të javës së 34-të në elitën e futbollit kosovar.
Në këtë ndeshje fitues doli Ballkani që arriti t’i mposhtë ata me rezultat 3-0, falë golave të shënuar nga Ëalid Hamidi, Almir Kryeziu dhe Bernard Karrica.
Me Fushë Kosovën që tashmë e kishte mësuar fatin e saj dhe kjo ndeshje ishte vetëm sa për statistika pasi ata sezonin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e Parë.
Sidoqoftë, pas ndeshjes ka reaguar faqja zyrtare e Fushë Kosovës në Facebook, aty ku ata kanë hedhur akuza në drejtim të kryesisë së Ballkanit duke pretenduar se janë sulmuar lojtarët dhe trajneri i tyre.
“Skandal në Suharekë. Presidenti si dhe disa anëtar te kryesisë se FC Ballkanit sulmujnë lojtarët si dhe trenerin tone”, ka shkruar faqja e Fushë Kosovës në Facebook.
Mbetet të shihet se sa janë të vërteta këto akuza të ngritura nga Fushë Kosova, por kujtojmë që kohë më parë klubi therandas u përfshi në një situatë të njëjtë ku drejtuesit e klubit kishin sulmuar anëtarët e Dritës në Suharekë.