FSHF, thirrje tifozëve: Kombëtarja ka nevojë për mbështetje korrekte
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas gjobës së dhënë nga UEFA, 44 mijë euro si dhe paralajmërimit për mbyllet të pjesshme të stadiumit, duke bërë një apel për tifozët, për mbështetje korrekte nga ana e tyre me qëllim shmangjen e sanksioneve të mëtejshme, të cilat do të dëmtonin skuadrën në këtë udhëtim ëndërr drejt “Gjermani 2024”.
Në deklaratën e saj FSHF ka theksuar se, “Në këto momente skuadra Kombëtare ka nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe kjo mbështetje kërkohet të jetë korrekte për të mos rrezikuar dhe dëmtuar këtë objektiv të rëndësishëm që kemi përpara”.
Apeli i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit është njohur pak minuta më parë me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA që ka vendosur të gjobisë FSHF-në me 44 mijë euro për hedhjen e fishekzjarreve në fushën e lojës, hedhjen e sendeve të forta, bllokimin e rrugëve të kalimit në sektorë të caktuar të stadiumit dhe mbylljen e pjesshme të stadiumit në tribunat veriore dhe jugore.
Mbyllja e këtyre tribunave është me kushtin që në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi të mos ketë asnjë ndezje fishekzjarri në stadium. Vendimi për mbylljen e stadiumit është pezulluar për një periudhë prove, duke filluar nga ndeshja e radhës në shtëpi me Republikën Çeke.
Mbyllja e stadiumit do të ishte e dëmshme për ekipin tonë Kombëtar në këto momente ku objektivi i synuar kërkon të ketë pranë dhe lojtarin e 12-të.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’u bëjë thirrje të gjithë tifozëve që mbështesin pa kushte Kombëtaren të jenë korrekt me sjelljen e tyre në stadium, të mos përdorin mjete piroteknike të cilat do të dënojnë skuadrën dhe tifozët në ndeshjet e ardhshme që janë vendimtare për fatin tonë drejt “Gjermani 2024”.