
Fshehja pas pasaportës një alibi dhe farsë për tradhtinë ndaj Kosovës
Nga viti në vit, talentet e Kosovës kanë shpërthyer në arenën evropiane. Edon Zhegrova, Milot Rashica, Vedat Muriqi, Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Muharrem Jashari, Muhamet Hyseni, Meriton Korenica dhe të tjerë janë shembuj të qartë që pasaporta nuk ka qenë dhe nuk është pengesë për të arritur majat e suksesit.
Këta lojtarë nuk kishin nevojë për pasaportë të Shqipërisë për të depërtuar në klubet elitare të Evropës. Edhe rasti i fundit i Drilon Hazrollajt, i cili tashmë e ka finalizuar marrëveshjen dhe në fund të sezonit do të realizojë transferin, tregon se një gjë e tillë nuk varet nga dokumentet, por nga talenti dhe puna e palodhshme.
Megjithatë, një fenomen shqetësues po shfaqet gjithnjë e më shpesh: përdorimi i pasaportës shqiptare si një pretekst për të justifikuar largimin nga Kosova. Kjo nuk është asgjë më shumë se një alibi për ata që nuk e vlerësojnë mjaftueshëm fanellën dardane. Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë një trampolinë. Për më tepër, pretendimi se pasaporta shqiptare ndihmon në transferime më të lehta tashmë është një farsë.
Shqipëria gjithmonë ka pasur lojtarë nga Kosova në radhët e saj dhe sukseset i ka arritur pikërisht falë tyre. Kjo është e kuptueshme sepse jemi një komb, por nuk është aspak e drejtë që Federata Shqiptare e Futbollit të marrë lojtarë që janë tashmë pjesë e Kosovës. FFK dhe FSHF duhet të arrijnë sa më parë një marrëveshje në këtë drejtim për të shmangur situatat ku lojtarët manipulohen për përfitime afatshkurtra. Madje, sot në media për pajisjen me pasaportë me procedurë të shpejtë përmendet se pas saj qëndron edhe një grup kriminal, e për çka lypset edhe një hetim serioz në vet shtetin shqiptar.
Edhe më shqetësuese është tendenca e disa menaxherëve që për pak përfitime financiare i çojnë lojtarët edhe në kampionate si ai i Rusisë. Si mund të justifikohet dërgimi i një futbollisti kosovar në një shtet si Rusia, që mbështet Serbinë dhe që, siç pamë edhe në rastin e Mirlind Dakut, mund të përbëjë rrezik për vetë lojtarin? Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë pasur traditë të shiten për interesa materiale, veçanërisht tek ata që kanë kontribuar në vuajtjet e popullit tonë. Në shtete tjera, madje edhe kur bëhet fjalë për sportin, të tillët bashkë me familjet e tyre i shpallin ‘non-grata’. Ne jemi komb i vogël për të pasur ndasi të tilla. Prandaj, të gjithë duhet të kenë kujdes sepse paratë vijnë e shkojnë, e Kosova është e përjetshme.
Fanella e Kosovës ka peshë. Ajo simbolizon sakrificën e një kombi që ka kaluar nëpër vuajtje të mëdha për të fituar lirinë dhe njohjen ndërkombëtare. Prandaj, çdo futbollist duhet të ketë parasysh se veshja e saj është një përgjegjësi e madhe dhe një nder i jashtëzakonshëm. Para se dikush t’ia kthejë shpinën Kosovës, le të kujtojë 12-13 mijë jetët e humbura në luftën e fundit, mijëra tjerë të zhdukur dhe ata që ende vuajnë pasojat e asaj periudhe.
Kosova nuk është e përkohshme; ajo është përjetëshme. Dhe ata që e përfaqësojnë, duhet ta bëjnë me zemër, e jo për interesa personale.