Forca Shqipëri! I gjithë Kombi është me ty!
Është momenti i Shqipërisë! Është momenti i një eksperiencë që do të jetë padyshim unike.
Nga Dortmundi i Gjermanisë të ndizet shkëndija e emocionit kudo ku frymohet shqip.
Sonte në mbrëmje, kombëtarja shqiptare do të zbresë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, për të sfiduar kampionët në fuqi të Italisë.
Në ndeshjen e parë të grupit B, në prezencën e mbi 40 mijë zemrave kuqezi, e milionave të tjera që do të brohorasin nga larg për luftëtarët e kombit.
Përballë do të jetë Italia, një skuadër që në vendin tonë ka shumë tifozë, por për një natë të vetme, zemrat e shqiptarëve do të rrahin vetëm për ngjyrat kuq e zi.
Eksperienca e dytë në finalet e një Europiani na ka rezervuar kundërshtarë tepër të fortë në letër, por nuk e ka zbehur aspak dëshirën dhe besimin se mund të jemi ne surpriza e këtij turneu.
Sfida me “azzurrët” do të jetë e veçantë për shumë nga lojtarët e Shqipërisë, që luajnë në Itali prej vitesh i njohin mirë kundërshtarët që kanë përballë. Historia është në favorin e Italisë, që ka fituar në 4 duelet që ka patur me kuqezinjtë, por gjithnjë ka një herë të parë. E Shqipëria do të tentojë që ta shkruajë pikërisht në këtë mbrëmje.
Nuk duhet harruar se është kjo skuadra e cila u kualifikua si e para e grupit në kualifikuese, e në anën tjetër ka treguar se di të luajë tashmë si një skuadër e madhe, ndaj çdokujt që ka përballë.
Ky është Europiani i Etrit Berishës, Hysajt, Abrashit, Ajetit e Alijit, që pas 2016 përjetojnë për herë të dytë emocionet e një Europiani.
Ky është Europiani i Asanit, Bajramit dhe Asllanit që me supergolat e tyre e dërguan Shqipërinë në Euro 2024.
Ky është Europiani i Ramadanit, Mitajt, Seferit që kanë shkëlqyer në kualifikuese.
Është Europiani i Ismajlit, Muçit, Laçit dhe Dakut që janë gjithnjë aty të gatshëm për të dhënë gjithçka për fanellën më të bukur.
Ky është kampionati europian edhe i Kastratit, Mihajt, Strakoshës, Kumbullës, Balliut, Manajt e Gjasulës, të cilët më shumë i shohim të flasin në fushë sa herë thirren në apel.
Është Europiani i Medon Berishës, e Arbër Hoxhës, të cilët përjetojnë për herë të parë emocionet e fanellës kuqezi, ashtu siç është dhe Europiani i Armando Brojës, i cili në sytë tij ka zjarr, për të përligjur besimin dhe dashurinë që i falin tifozët kuqezi.
Pa dyshim ky është Europiani i Berat Gjimshitit. Kapiteni nga Lugina është një shembull suksesit, i cili ndonëse nuk ishte pjesë e skuadrës në 2016, nuk hoqi dorë asnjëherë, e tashmë shkon si i pari i vendit në një turne madhështor si ky i Euro 2024.
Është europiani i Sylvinhos dhe gjithë stafit të tij, të cilët që në ditën kur kanë nisur punën e kanë kuptuar filozofinë e kombit tonë, e tani synojnë që të shkruajnë historinë, me germa të arta në një kapitull të veçante.
Ky është Europiani i të gjithve ne, është Europiani që duhet shijuar në maksimum e besuar deri në fund. Forca Shqipëri! I gjithë kombi është me ty! /SS/