
Foda e Rashica optimist: Fitojmë ndaj Islandës
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, të mërkurën në një konferencë për medie, është shprehur i bindur se të besuarit e tij, do të bëjnë paraqitje të mirë në duel me Islandën.
Dardanët dhe islandezët do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e parë të ‘Play-off-it’ në Ligën e Kombeve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Strategu gjerman e vlerëson kundërshtarin e nesërme, por, ai është i bindur se djemtë e Kombëtares sonë, do të kenë një natë të mirë në duel me Islandën.
Foda shpreson se dyshja Amir Rrahmani dhe Valon Berisha do të jenë gati për sfidën me islandezët. Tekniku gjerman kërkon shpirt luftarak në të dy duelet kundër Islandës.
“Atmosfera në skuadër është e mirë. Amir Rrahmani dhe Valon Berisha dje kanë stërvitur të diferencuar nga grupi, por shpresojmë se do të jenë të gatshëm për nesër. Islanda ka lojtar individualisht, por ne do të bëjmë lojën tonë. Duhet të kemi shpirt luftarak në këto dy ndeshje”, ka thënë Foda.
Optimist për fitore është shprehur edhe futbollisti i Kombëtares sonë, Milot Rashica.
Ai shpreson se Kosova do ta nis me fitore vitin 2025. Sipas tij, atmosfera në taborin e Dardanëve është mjaft e mirë dhe premtuese për rezultat pozitiv. Rashica thotë se më përkrahjen e tifozëve tonë, mund të arrihet fitorja.
“Shpresojmë që ta nisim mbarë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, kemi pasur pak kohë kësaj radhe të përgatitemi por me mbështetjen e tifozëve shpresojmë që nesër të arrijmë fitore”, ka thënë Rashica.
“Duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe të kalojmë tutje, pastaj kemi kohë me u përgatitë për kualifikimet tjera”, ka pohuar Rashica.
Ndeshja mes Kosovës dhe Islandës fillon në orën 20:45.