Foda e Muriqi kërkojnë shpirt luftarak për sfidën kthyese me Islandën

Foda e Muriqi kërkojnë shpirt luftarak për sfidën kthyese me Islandën

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda në konferencën për medie, një ditë para duelit me Islandën, është shprehur optimist së ‘Dardanët’ mund të marrin rezultat pozitiv.

Islandezët dhe Dardanët do të përballen nesër mbrëma në Murcia të Spanjës, në sfidën kthyese të Play-Off-it në Ligën e Kombeve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kosova në këtë duel hynë me epërsinë prej 2-1, të arritur tri ditë më parë në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e parë të Play-off-it, duke bërë hapin e parë në garën për kualifikim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Strategu gjerman fillimisht është pyetur se cila do të jetë zgjidhja për portier pasi Aro Muriç është i lënduar.

“Sonte e kemi stërvitjen e fundit. Sonte ose nesër do të vendose se cili portier do të jetë portë”, ka thënë Foda.

Sipas tij, Kosova është përgatitur mirë për sfidën kthyese me Islandën. Foda mendon se gjasat për fitore janë të barabarta.

“Siç kam thënë edhe me herët do të jetë një përballje e vështirë. Gjasat janë 50-50, kjo është dëshmuar edhe në ndeshjen e parë”.

“Islanda është skuadër që ka lojtar shumë të mirë, sidomos në aspektin defansive. Do të jetë shumë e rëndësishme për ne se si do të luajmë. Do të tentojmë ta luajmë lojën tonë, të krijojmë raste dhe shpresoj se do të shënojmë gola”, ka pohuar Foda.

Optimist për rezultat pozitiv është shprehur edhe sulmuesi i Kombëtares sonë, Vedat Muriqi. Ai thotë se skuadra e tij e ka epërsinë e arritur nga loja e parë, megjithatë, ai kërkon nga bashkëlojtarët e tij, shpirt luftarak në duelin e nesërme.

“Ndeshja e parë ka qenë e vështirë, por e kemi arritur qëllimin. Kemi epërsi nga loja e parë. Kemi mungesa për ndeshjen e nesërme, por Kosova është gati për këtë ndeshje”, ka theksuar Muriqi.

“Shpirti luftarak pika më e fortë e Kosovës. Do të luajmë pa disa lojtarë të lënduar, por edhe tjerët janë të rëndësishme për skuadrën. Mendoj se ata që do të luajnë do të japin maksimumin”, ka deklaruar Muriqi.

Ndeshja Islandë-Kosovë fillon në orën 18:00.

Share This