Foda: Duhet t’i fitojmë dy ndeshjet nëse duam ta fitojmë grupin

Foda: Duhet t’i fitojmë dy ndeshjet nëse duam ta fitojmë grupin

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda të hënën në një konferencë për media, ka folur për ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve.

Dardanët më 12 tetor luajnë në udhëtim te Lituania, derisa tri ditë më vonë sfidojnë Qipron në ‘Fadil Vokrri’.

I pari i bankinës së kombëtares sonë thotë se nëse Kosova dëshiron ta fitojë grupin, atëherë duhet fituar dy ndeshjet e radhës.

“Nëse dëshirojmë ta fitojmë grupin ne duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Fillimisht duhet te zhvillojmë disa stërvitje dhe gjatë javës do të shohim si do të veprojmë. Por nuk ka rëndësi sa sulmues kemi në fushë, por e rëndësishme është ta mbajmë sa më shumë topin dhe të bëjmë lojën tonë”, ka thënë Foda.

“Siç e dini Lituania ka cilësi të mira, kanë luajtur mirë kundër Rumanisë. Është shumë më rëndësi që ne të vazhdojmë me besimin sikur kundër Qipros”, ka pohuar tekniku gjerman.

Ai ka folur edhe për sulmuesin Vedat Muriqin, i cili për shkak të lëndimit nuk do të pjesë e kombëtares sonë për ndeshjet e tetorit.

“Vedati është shumë i rëndësishme për ekipin tonë, por kemi alternativa. Rashica është opsion i parë, por kemi edhe disa alternativa tjera të cilat mund të zëvendësojnë Muriqin”, ka pohuar Foda.

Ai është pyetur edhe për treshen e përjashtuar (Zhegrova, Muriq, Muslija) para ndeshjes me Qipron, por që tashmë sërish i janë bashkuar Kombëtares për dy ndeshjet e radhës.

“Këtë vendim e kemi marr bashkarishtë, duke e ditur se këta lojtarë i kanë thyer rregullat”, ka theksuar Foda.

Tekniku gjerman ka folur edhe për prurjen e re në Kombëtaren e Kosovës, Amir Saipi.

“Tani kemi tre portierë në dispozicion. Sahiti e kam vrojtuar më kujdes në lojërat në Lugano dhe jam shumë i lumtur që ka vendosur të luajë për Kosovën. I kemi parë se ai ka cilësi të mira dhe ai do të jetë një përforcim i madh për ne. Dhe kush do të vendoset në porte për ndeshjet e radhës do të vendoset gjatë javës së ardhshëm”, ka përfunduar Foda.

Sfida Lituania-Kosova (ora 15:00 sipas kohës sonë) dhe Kosova-Qipro (ora 20:45) transmetohen drejtpërdrejt në RTK.

Share This