Florian Wirtz është zyrtarisht lojtari më i ri i Liverpoolit, duke u bërë gjithashtu blerja më e madhe në historinë e klubit anglez. Mesfushori ofensiv gjerman është transferuar nga Bayer Leverkusen për 116 milionë paund – një marrëveshje që përfshin 100 milionë paund si pagesë fillestare dhe 16 milionë të tjera në formë bonusesh.
22-vjeçari fluturoi drejt Anglisë të enjten, ku kaloi me sukses testet mjekësore dhe nënshkroi kontratën afatgjatë, që do ta mbajë në Anfield deri në vitin 2030, me një pagë javore prej 200,000 paundësh.
Në intervistën e tij të parë për faqen zyrtare të klubit, Wirtz tha:
“Ndjej shumë lumturi dhe krenari. Më në fund gjithçka u finalizua dhe e kam pritur gjatë këtë moment – tani është realitet dhe jam shumë i lumtur.”
“Jam shumë i emocionuar për këtë aventurë të re. Një nga arsyet kryesore ishte dëshira për të dalë nga Bundesliga dhe për t’u përballur me diçka krejtësisht të re në Premier League.”
“Kam folur me disa lojtarë që kanë luajtur këtu dhe më thanë se është një vend i përsosur për mua – çdo fushë është në gjendje ideale, çdo ndeshje është për t’u shijuar. Mezi pres të luaj ndeshjen time të parë.”
Wirtz i bashkohet ish-shokut të skuadrës te Leverkuseni dhe mikut të ngushtë Jeremie Frimpong, si nënshkrimi i tretë i Liverpoolit këtë verë – pas Frimpong dhe portierit të ri Armin Pecsi.
Fanella që do të mbajë Wirtz ende nuk është konfirmuar. Te Leverkuseni ai mbante numrin 10, por kjo fanellë është aktualisht e zënë nga Alexis Mac Allister. Megjithatë, numri 27 – që ai e ka veshur më parë – është i lirë dhe një nga opsionet e mundshme.
Pas Wirtz, në listën e afrimeve të Liverpoolit është edhe mbrojtësi i majtë i Bournemouth, Milos Kerkez, për të cilin klubi do të paguajë 40 milionë paund.