
Flick pas përmbysjes spektakolare ndaj Celta Vigos: Rikthim i pabesueshëm
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se skuadra e tij e meritoi plotësisht fitoren dramatike 4-3 ndaj Celta Vigos, pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme që u vulos në minutën e 98-të nga penalltia e realizuar nga Raphinha.
“Fituam. Luajtëm kundër një skuadre të madhe që kishte marrë rezultate të mira në dhjetë ndeshjet e fundit,” u shpreh Flick pas ndeshjes.
“Ata kanë një ide shumë të qartë loje dhe trajneri i tyre ka një plan të mirë. E dinim që do të vuanim”, theksoi ai.
Ai vlerësoi lart Raphinhan, autorin e golit të fitores.
“Raphinha është shumë i rëndësishëm për ne dhe gjithmonë ka një qëndrim pozitiv që përhapet tek e gjithë skuadra”, pohoi Flick.
Flick zbuloi gjithashtu një detaj interesant për momentin e penalltisë.
“Nuk i shikoj kurrë penalltitë. Vetëm kryqëzova gishtat dhe u gëzova shumë kur pashë festën. I thashë se kishim nevojë për të dhe bëri një punë të shkëlqyer. Ky rikthim ishte i pabesueshëm”, deklaroi tekniku gjerman.