Flet heroi i derbit: Nuk më intereson kush luan, dua të fitoj trofe
Ishte nga të paktët futbollistë të Interit që nuk u grumbullua nga përfaqësuesja përkatëse dhe armeni Heinrikh Mkhitaryan e shfrytëzoi maksimalisht ndërprerjen për të përgatitur në mënyrë perfekte derbin e Milanos.
I aktivizuar titullar në mesin e fushës, futbollisti veteran shënoi golin e parë të takimit në minutën e 5-të dhe të tretin në të 69-ën, duke i dhënë dy herë qetësi Interit.
E si të mos mjaftonte kjo, dha edhe një asist perfekt për atë që kërkon t’i marrë vendin e titullarit, italianin Davide Frattesi.
Pas ndeshjes Mkhitaryan nuk e fshehu lumturinë, si për fitoren bindëse, ashtu dhe për paraqitjen personale, teksa nuk ngurroi të falënderojë edhe tifozët.
“Jam shumë i lumtur, jo vetëm për golat e mi, por edhe për këtë fitore të bukur. Jemi në formë të gjithë dhe me këtë tifozeri të mrekullueshme, mund të shkojmë shumë larg. Nuk më intereson nëse luaj unë apo jo, pasi jemi 25 futbollistë dhe të gjithë të barabartë, Duam të gjithë fitoren e Interit, ndërsa për formacionin vendos trajneri. Kemi ndryshuar shumë lojtarë në verë, por ata që kanë ardhur, kanë shumë cilësi dhe mjafton t’i shohësh si futen në fushë”, u shpreh Mkhitaryan.