Fjalimi pas barazimit me Veronën, Allegri kthen me “këmbë në tokë” lojtarët: Nuk ishit për titull!
Për të katërtën ndeshje me radhë, Juventusi nuk ia doli të fitonte në Serie A duke regjistruar vetëm një barazim zhgënjyes 2-2 në transfertë ndaj Veronës.
Një pikë e cila është e pamjaftueshme për “Zonjën e Vjetër”, me Inter që “arratiset” gjithnjë e më shumë në rrugën drejt titullit kampion.
E tashmë, duket se në radhët e torinezëve të gjithë janë dorëzuar, madje trajneri Massimiliano Allegri në fjalimin e dhomave të zhveshjes pas barazimit me Veronën, ka tentuar të “zgjojë” lojtarët e tij dhe të mos i lejojë të bien në dëshpërim. Mediat italiane, zbulojnë se tekniku livornez i ka theksuar lojtarëve të tij se nuk ishin gati për titullin dhe se mendjen duhet ta mbajnë te objektivi më i arritshëm, ai i kualifikimit në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm.
“Duhet ta harroni atë ndeshje me Interin, të rifokusoheni dhe të kujtoni objektivin e vërtetë që është kualifikimi në Champions League. Një objektiv të cilin ende nuk e kemi siguruar. Në futboll duhet shumë për të ndërtuar, por mjafton pak për të shkatërruar gjithçka”, ishin fjalët e Allegrit drejtuar lojtarëve pas barazimit me Veronën.
Në katër ndeshjet e fundit të Serie A, bardhezinjtë kanë koleksionuar vetëm dy pikë pas barazimeve me Empolin dhe Veronën teksa janë mposhtur nga Inter dhe Udinese. Skuadra mban vendin e dytë në kampionat me 54 pikë, për momentin nëntë më shumë se vendi i katërt ku renditet Atalanta (45 pikë), por me bergamaskët që kanë një ndeshje më pak.