
Fitore të reja për Besa Famgasin e Kastriotin
Të shtunën mbrëma janë luajtur dy ndeshje të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Fitoret e radhës i kanë shënuar Besa Famgas e Kastrioti.
Skuadra pejane, Besa, fitoi ndaj Llapit në Podujevë me rezultat 57:18.
Jon Vokshi u shqua me 14 gola te Besa, derisa nga 10 i shënuan Olsi Mulaj e Elion Vokshi. Nëntë gola i shënoi Edonis Hajra.
Edi Lushaku u dallua te Llapi me 11 gola.
Besa është e dyta me 30 pikë nga 19 ndeshje. Llapi renditet i gjashti me nëntë pikë.
Ndërkohë Kastrioti fitoi ndaj Vushtrrisë në udhëtim me rezultat 50:32.
Deniz Terziqi me 11 dhe Yassine Henahen me 10 gola u dalluan te ferizajasit.
Erkan Abazxhiku ishte më efikasi te Vushtrria po ashtu me 10 gola. Gjashtë i shtoi Egzon Ademi.
Me 28 pikë nga 19 ndeshje, Kastrioti mban pozitën e tretë. Vushtrria është e pesta me 14 pikë.