Fitore me përmbysje e skuadrës së Besnik Hasit, në garë për triumfin në play off-in e Conference League
Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League.
Pas humbjes së një jave më parë 2-3 ndaj St. Truiden, ekipi i ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare triumfoi 3-2 ndaj Westerlo she shkon në kuotën e 29 pikëve, një më pak se Gent, që luan këtë të diel në fushën e Leuven.
Një fitore e pabesueshme, e arritur në me përmbysje në shtesë, teksa deri në minutën e 56-të miqtë kryesonin 0-2.
Golat e Cobbaut dhe Slimanit brenda 10 minutash (56’ dhe 66’) barazuan rezultatin, ndërsa në minutën e 93-të autogoli i Tagir i dha fitoren në frymën e fundit Mechelenit.
Në rast se Mechelen e mbyll këtë fazë në vendin e parë, do të marrë pjesë në Conference League sezonin e ardhshëm.
Kujtojmë që Besnik Hasi e mori drejtimin e kësaj skuadre në muajin nëntor, teksa renditej në vendin e 14-të, pra në zonën e rënies. Ecuria pozitive, sidomos gjatë vitit 2024 e ka katapultuar në mesin e tabelës, në grupin e ekipeve që po marrin pjesë në play off-in e Conference League.