Fiorentina-Inter, shansi “i artë” i Asllanit
Gazeta e madhe italiane “La Gazzetta dello Sport” teksa përshkruan duelin mes Fiorentinës dhe Interit, i cili mund të jetë vendimtar për fatet e kampionatit, i ka dhënë mjaft vëmendje faktit se kjo ndeshje do të jetë e para si titullar në Serie A për Kristjan Asllanin.
Hakan Çalhanoglu nuk figuron mes të grumbulluarve për transfertën e Firences pasi është “ngarkuar” me kartonë dhe për këtë motiv Inzagi ka vendosur që t’i besojë mesfushën shqiptarit.
“Kësaj here Çalhanoglu i ka lënë vendin shokut të tij shqiptar, i cili është më i ri se ai. Këtë vit Serinë A e ka ndjekur vetëm nga stoli. Numëron 11 prezenca, por transferta në Firence është e para si titullar. Sot do të ketë mjaft përgjegjësi duke parë peshën e lojtarit, të cilin zëvendëson si dhe fushën ku luan Interi. Fiorentina nga ana e saj në mesfushë di të ‘kafshojë’ madje edhe të mbajë topin, por talenti i vogël shqiptar, ndryshe nga sezoni i kaluar, ka treguar se ka më shumë besim në vetvete”, shkruan “La Gazzetta dello Sport”.