Figura të çmuara të futbollit kosovar mbështesin vendimin e Fodës

Figura të çmuara të futbollit kosovar mbështesin vendimin e Fodës

Pas vendimit të trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, për të sanksionuar tre nga futbollistët për sjellje të papërshtatshme para ndeshjes kundër Qipros, bota e futbollit kosovar ka pasur reagime të shumta dhe të forta nga figura të njohura të këtij sporti. Çështja e disiplinës, profesionalizmit dhe përfaqësimit të denjë të kombëtares është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes.

Ajet Shosholli: Vendimi i Fodës është i merituar

Trajneri legjendar, Ajet Shosholli përkrah vendimin e trajnerit të kombëtares, duke thënë se disiplina është thelbësore, sidomos në një përfaqësuese kombëtare. “Vendimi i Franco Fodës është plotësisht i merituar. Disiplina duhet të respektohet, sidomos në një përfaqësuese. Nuk e di se si veprojnë në klubet e tyre, por futbollistët duhet të kuptojnë se kombëtarja dhe fanela e saj janë të shenjta. Të gjithë i kemi sytë e drejtuar nga ata. Nga ana profesionale, kjo është totalisht e pakuptimtë; të dilet deri në ora 2 të mëngjesit para ndeshjeve nuk do të duhej të ndodhte as nga lojtarët amatorë”.

Bekim Isufi: Ndeshkimi ishte i nevojshëm

Bekim Isufi, një nga figurat e respektuara të futbollit kosovar, nuk e fsheh zhgënjimin e tij. Ai vlerëson se ky lloj sjelljeje e futbollistëve nuk është e pranueshme në nivelin e përfaqësimit të një kombëtare. “Dukuri e keqe absolutisht. Ndeshkimi është dashur të ndodhë edhe më herët. Nuk e di se si mendojnë disa lojtarë të cilët janë profesionistë që vijnë në Kosovë dhe bëjnë kësi dalje, kur në klubet e tyre saktësisht e dinë cilat janë sanksionet. Ana profesionale e lojtarëve dihet që është me jetë më të kufizuar, sepse kjo i bën më profesionistë dhe krijon vazhdimësi në karrierat e tyre. Kjo nuk ndodh as në Superligën e Kosovës, e lëre më në përfaqësuese. Ndeshkimi është më i drejtë, pavarësisht se për cilat emra po flasim. Dukuritë e tilla duhet të sanksionohen”.

Jusuf Tortoshi: Sjellje e papranueshme nga futbollistët

Jusuf Tortoshi është edhe më i ashpër në vlerësimin e tij. Ai e sheh si të pakuptimtë sjelljen e futbollistëve pas humbjes ndaj Rumanisë, duke u pyetur se si kanë guxuar të dalin dhe të ekspozohen në publik. “Nëse kanë qenë në klube nate një ditë para ndeshjes në Qipro, vendimi i trajnerit Foda është më se i duhuri,” thotë Tortoshi. Për të, futbollistët në vendet ku luajnë, si Franca, Gjermania dhe Anglia, nuk do të guxonin kurrë të vepronin në këtë mënyrë.

Arbnor Morina: “Jeta spartane e futbollistëve kërkon sakrifica”

Arbnor Morina sjell në vëmendje një tjetër aspekt të rëndësishëm të jetës së futbollistëve: ritmin e lartë të punës dhe disiplinën strikte që kërkohet për të arritur suksesin. Ai thekson se profesionalizmi nënkupton heqjen dorë nga shumë gjëra që njerëzit e zakonshëm mund t’i bëjnë, sidomos kur bëhet fjalë për argëtimin para ndeshjeve. “Jeta e futbollistëve quhet jetë spartane për një arsye,” thekson Morina, duke shtuar se vetëm ata që kuptojnë rëndësinë e punës së përkushtuar arrijnë të jenë pjesë e elitës.

Afrim Tovërlani: “Është turp”

Është turp që të ndodhin dalje të tilla nga futbollistët, cili do qofshin ata, pas një humbjeje të tillë dhe pas pritjes kaq të madhe të tifozëve. Nuk kam dëshirë të shtoj më shumë.

Muhamet Dragusha: Vendimi i FFK-së është shumë i drejtë

Grumbullimet nuk janë për t’u argëtuar; kjo duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë. Si profesionistë, nuk ka tolerime. Duhet të jemi të vetëdijshëm se rregullat janë për të gjithë dhe duhet të zbatohet deri në pikën e fundit.

Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj institucioneve, sidomos në këto momente zhgënjimi nga paraqitja e fundit e të gjithë ekipit kombëtar.

FFK duhet të denoncojë njëherë që të kuptohet nga të gjithë gjithmonë!

Share This