
FFK pjesë e Konventës së Trajnerëve të UEFA-s për nivelin UEFA A – hap i madh përpara në edukimin e trajnerëve
Vetëm nëntë vjet pas pranimit në UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të saj duke fituar anëtarësimin e ri në Konventën e Trajnerëve të UEFA-s për nivelin UEFA A Licencë.
Ky hap i madh përpara për edukimin e trajnerëve në Kosovë dëshmon avancimin e vazhdueshëm të futbollit tonë drejt standardeve evropiane.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar FFK-së, UEFA konfirmoi pranimin e suksesshëm të FFK-së në këtë konventë, pasi paneli i UEFA Jira dhe Zyra për Zhvillim dhe Asistencë Teknike kanë shqyrtuar dhe miratuar raportin pozitiv të kursit inaugurues për Licencën A nga FFK.
Si rezultat, FFK-së i është dhënë anëtarësim i ri në Konventën e Trajnerëve të UEFA-s në këtë nivel të avancuar diplome.
FFK tani ka të drejtë të lëshojë licencën UEFA A për kandidatët që e përfundojnë me sukses kursin.
Do theksuar se në prill të këtij viti FFK ka nisur për herë të parë edhe kursin për trajnerët e përgatitjes fizike – UEFA Fitness B, kurse në shtator 2025 është paraparë të fillojë kursi për trajnerët e portierëve – UEFA Goalkeeper B.
Ndërkohë, së shpejti Departamenti i Edukimit në FFK do t’i nisë procedurat edhe për licencim në UEFA Pro, që është niveli më i lartë në hierarkinë e edukimit të trajnerëve në Evropë.
FFK mbetet e përkushtuar në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve trajnuese dhe në ndërtimin e një strukture të fortë teknike që do ta çojë futbollin e Kosovës në nivele edhe më të larta.