FFK nderon futbollistët e gjeneratës së rezistencës
Federata e Futbollit e Kosovës, nën kujdesin e presidentit Agim Ademi, ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme në bashkëpunim me Ligën e Veteranëve të Futbollit të Kosovës për të nderuar futbollistët që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës gjatë viteve të 90-ta.
Këto vite janë kujtime të rëndësishme në historinë e Kosovës, ku futbolli nuk ishte vetëm një sport, por edhe një formë rezistence ndaj okupatorit serb dhe që shërbente si një mjet për afirmimin e shtetësisë së Kosovës nën okupim.
Fillimisht do të nderohen lojtarët aktivë në Ligën e Veteranëve, për kontributin e tyre të vazhdueshëm në futbollin e Kosovës.
Pas kësaj periudhe, do të nderohen edhe lojtarët e tjerë që ishin pjesë e asaj periudhe të rëndësishme, e që nuk janë aktivë aktualisht në Ligën e Veteranëve, përfshirë edhe ata që ndodhen në Diasporë.
Kjo nismë është një mundësi e mirë për të nderuar gjeneratën e rezistencës dhe për të vlerësuar ndihmën e tyre të jashtëzakonshme në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si UEFA dhe FIFA.
Përveç mirënjohjeve për lojtarët, FFK për të gjitha ekipet e veteranëve do të ndajë topa të futbollit.