FFK mban seminar për gjyqtarët me ligjërues spanjoll

FFK mban seminar për gjyqtarët me ligjërues spanjoll

Federata e Futbollit e Kosovës në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror të garave, sot e ka organizuar seminarin për gjyqtarët e Superligës, në të cilin po kombinohen trajnimet teorike me fazën përgatitore praktike.

Sipas njoftimit të FFK-së, ligjëratat po udhëhiqen nga instruktori i UEFA-s, spanjolli David Fernández Borbalán, i cili është fokusuar në diskutimet për përmirësimin e standardeve të ndarjes së drejtësisë në vendin tonë.

“Gjatë seminarit, përpos video-rasteve me situata të ndryshme në ndeshje ndërkombëtare, janë analizuar edhe vendimet e marra nga gjyqtarët e Kosovës në ndeshjet e stinorit të kaluar, duke u rikthyer situatave të diskutueshme dhe kritereve të vendimmarrjes, me qëllim që gabimet të shmangen dhe performanca të përmirësohet në stinorin e ri”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se ky seminar shënon një hap të rëndësishëm për përgatitjen e gjyqtarëve, duke garantuar se ata do të jenë të gatshëm për sfidat e stinorit pranveror.

Gjyqtarët e Superligës nesër do t’i nënshtrohen testeve fizike.

Share This