Federata e Futbollit e Kosovës e ka nisur “Javën Botërore të Futbollit”, me një aktivitet të veçantë dhe gjithëpërfshirës të mbajtur në Fushë Kosovë, duke përçuar mesazhe të forta për barazi, dashuri dhe unitet përmes sportit më të dashur në botë –futbollit.
Në këtë aktivitet festiv morën pjesë djem dhe vajza të moshës 10 deri në 13 vjeç, si dhe fëmijë me nevoja të veçanta, të cilët ndanë së bashku fushën, lojën dhe gëzimin. Gjatë këtij aktiviteti u dëshmua se futbolli nuk njeh dallime dhe se fuqia e tij për të bashkuar njerëzit është e jashtëzakonshme.
Ky aktivitet i organizuar nga FFK-ja është vetëm fillimi i një jave të mbushur me ngjarje që promovojnë vlerat universale të futbollit. Përmes kësaj nisme, Federata synon të fuqizojë komunitetin dhe të krijojë hapësira të barabarta për të gjithë fëmijët që duan të jenë pjesë e magjisë së futbollit dhe kësisoj FFK i bashkohet thirrjes së FIFA-s për të festuar futbollin si mjet që nxit përfshirjen, edukimin dhe ndërtimin e një bote më të mirë.