FFK: Albion Rrahmani do të operohet
Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç’rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella.
“Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit. Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
FFK sipas këtij njoftimi, është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm.