
Festë kuqezi në ‘Wembley’
Shqipëria do të sfidojë Anglinë në stadiumin ‘Wembley’ të premten më 21 mars, nën shikimin dhe mbështetjen e mijëra tifozëve kuqezi.
Të gjitha biletat në stadiumin madhështor të kombëtares angleze janë shitur për ndeshjen e parë të kualifikueseve të botërorit 2026, nga të cilat 5600 iu përkasin tifozëve shqiptarë.
Kjo është vetëm shifra zyrtare e caktuar për skuadrën mike nga UEFA, por në tribuna pritet të jenë të paktën katër herë më tepër tifozë kuqezi.
Mbretëria e Bashkuar ka një komunitet të madh shqiptar, duke qenë një nga destinacionet e preferuara të emigrantëve shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit. Sipas censusit të vitit 2021, vetëm në Angli ka pasur rreth 68 mijë shtetas të regjistruar të lindur në Shqipëri e Kosovë, si dhe disa mijëra të tjerë rezidentë në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.
Sigurisht që numri i shqiptarëve është shumë më i madh, duke llogaritur të lindurit atje nga prindër shqiptarë, e sidomos emigrantët e paregjistruar që nuk kanë reshtur së hyri në ishull nëpërmjet të gjitha rrugëve e mënyrave. Shtoni këtu edhe tifozët që do të udhëtojnë drejt ishullit nga vendet evropiane ku banojnë dhe në Londër do të formohet një masë e madhe kuqezi në përkrahje të skuadrës së Sylvinhos, në misionin e saj kundër njërës prej skuadrave më të forta në botë.
Pavarësisht rezultatit në fushë, festa në shkallët e stadiumit nuk do të mungojë, me entuziazmin dhe nxehtësinë karakterstike shqiptare që padyshim do të jenë fitues, siç e kanë treguar edhe herë të tjerë, gjithmonë në mbështetje të kuqezinjve.