“Festa e titullit me Hot-Dog”, Kroos: Ishte dy herë më mirë edhe që humbi Barcelona
Toni Kroos ka treguar se si shkuan festimet fundjavën e kaluar, pasi u shpallën kampionë në La Liga për sezonin 2023/34.
Mesfushori gjerman zbuloi se kishte “një ëmbëlsi” shtesë që erdhi si pasojë e një humbjeje të Barcelonës.
Real Madridi mposhti Cadizin 3:0 në “Santiago Bernabeu” të shtunën e kaluar, derisa në po të njëjtën ditën Barcelona pësoi humbje 4:2 në udhëtim ndaj Gironas.
“Ne e fituam ndeshjen tonë dhe kur Barcelona kaloi në epërsi 2:1, unë doja të kthehesha në shtëpi, por të gjithë më thanë të qëndroja. 5 minuta më vonë humbën 4:2. Të gjithë po shijonim ‘hot dog-ët’. Të mos largohesha ishte një vendim i mrekullueshëm”, tha Kroos në podcastin “Einfach mal Luppen” bashkë me vëllain e tij, Felix, raporton “Marca”.
Kroos ndjeu se mungesa e tensionit në garën për titull për shkak të diferencës së pikëve i “hoqi diçka” emocionalisht, por e shijoi edhe faktin që Barcelona ishte duke humbur titullin.
“Është edhe një herë ndjenja e arritjes së diçkaje të madhe. Megjithatë, sezoni ishte aq i qartë sa që hoqi pak nga emocionet në fund. Është e qartë se, nëse do të kisha mundur të vizatoja skenën, do të kisha preferuar të mos e përjetoja para televizorit. Por, nuk ka rëndësi, kombinimi me një humbje të Barçës ishte dyfish i mirë”, deklaroi reprezentuesi i Gjermanisë, shkruan Express.
Derisa Barcelona do ta mbyllë sezonin pa trofe, Real Madridi është në garë për të triumfuar edhe në Ligën e Kampionëve.
“Los Blancos” në finalen e 1 qershorit do të përballen me Borussia Dortmundin. Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet në stadiumin “Wembley” të Londrës.