Festa e Pavarësisë, Blinken: Ndajmë vlerat e përbashkëta demokratike. BE: Shqipëria, më afër familjes europiane
Me rastin e Festave të Nëntorit nuk kanë munguar urimet për shqiptarët edhe nga diplomatët e huaj në vendin tonë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit që shënon këtë vit 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Blinken theksoi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve, duke theksuar vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimin për paqe dhe siguri globale.
Në mesazhin e tij, Blinken theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet tona më të mira popullit të Shqipërisë teksa ju festoni 112-vjetorin e Pavarësisë. Marrëdhëniet e ngushta midis kombeve tona janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë të ndërsjellë për paqe dhe siguri. Shqipëria i ka ilustruar këto vlera nëpërmjet mbështetjes së saj të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus, udhëheqjes së saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe angazhimit të saj të palëkundur ndaj sigurisë kolektive të NATO-s. Ne vlerësojmë thellësisht mikpritjen dhe ndihmën e Shqipërisë si mikpritës i përkohshëm për aleatët tanë afganë.
Shtetet e Bashkuara presin me padurim partneritetin tonë të vazhdueshëm në ndjekjen e prioriteteve të përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Jam i bindur se lidhjet e forta mes popullit shqiptar dhe atij amerikan do të vazhdojnë të lulëzojnë ndërsa punojmë së bashku për tregtinë dhe investimet, diversifikimin e energjisë së rinovueshme dhe integrimin më të ngushtë të të gjithë rajonit. Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë në këto përpjekje do të forcojë Shqipërinë, marrëdhëniet tona dypalëshe dhe vlerat e përbashkëta që ne kremtojmë. I uroj popullit të Shqipërisë një festë të gëzuar të Pavarësisë”, shkruan në urimin e tij Blinken.
Edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka uruar Ditën e Pavarësisë, ku thekson se ky 112 vjetor e ka gjetur vendin më afër BE-së, me hapjen e negociatave për grupkapitujt e parë themelorë.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Hapja e negociatave të anëtarësimit për Grupkapitullin e parë mbi themelorët këtë vit është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian. Shumë sfida janë përpara, por BE-ja është e përkushtuar të qëndrojë në krah të Shqipërisë në çdo hap”, uron ambasadori Gonzato.
Urimet për Pavarësinë i ka përcjellë edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë. Përmes një video të veçantë ku një nga diplomatët amerikan këndon himnin shqiptar, ambasada shkruan se SHBA-të janë krenare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Urime Shqipërisë në 112-vjetorin e Pavarësisë! Ambasada e SHBA-së feston me krenari bashkë me ju. Për të shënuar këtë ditë, Jakob Curatola-Wozniak, i cili po mëson shqip taksa shërben në Shqipëri me bashkëshorten e tij, interpretoi himnin kombëtar”, shkruan ambasada.
Vetë diplomati tha se e kishte mësuar himnin nga wikipedia duke dëgjuar videon disa herë.
“Mendoj se është një himn shumë i bukur dhe tregon shpresën e Shqipërisë”, tha Curatola-Wozniak.
Në këtë 28 Nëntor, Shqipëria feston 112 vjetorin e Pavarësisë dhe një sërë veprimtarish festive janë organizuar në çdo qytet, me flamurin shqiptar që ka “pushtuar” gjithë vendin. Më 28 Nëntor 1912 ngriti flamurin shqiptar në Vlorë Ismail Qemali. Ky është cilësuar si nëntori i dytë, pasi në 1443, 28 Nëntori përkon edhe me ditën kur Skënderbeu ngriti të njëjtin flamur në Krujë.