Ferizaj dhe Istogu sprovojnë forcat në “Bill Clinton”
Ferizaj – Istogu është kryendeshja e xhiros së shtatë por edhe e gjithë stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Derbi i madh zhvillohet sot prej orës 18:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Të dy skuadrat pretendojnë titullin e kampionit dhe trofeun e Kupës.
Bëhet fjalë për skuadra të konsoliduara që në përbërje kanë lojtare cilësore dhe me përvojë. Istogu e mposhti Ferizajn në ndeshjen për Superkupë, ndërsa është edhe kampion aktual dhe fitues në fuqi i Kupës.
Istogu ka kohë të gjatë që nuk ka pësuar humbje dhe udhëton drejt Ferizajt për fitoren e radhës.
Objektiv tjetër ka skuadra vendase, që synon ta ndal hovin e istogaseve. Ferizaj kërkon fitore për të dëshmuar që ambiciet e mëdha i ka të bazuara. Loja pritet të jetë e fortë, ndërsa atmosfera e bukur dhe sportive.
Për Istogun ndeshja do të shërbejë si provë gjenerale para takimeve të vështira evropiane që i ka javën e ardhshme.
Të dy skuadrat i kanë nga pesë fitore dhe mbajnë pozitat një e dy.